Rast i dyshuar me koronavirus në Sarandë?
Edhe pse deri më tani nuk ka të konfirmuar zyrtarisht me koronavirus, rastet e dyshuara vijojnë të shfaqen.
Dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ishin kryer analizat për 8 të dyshuar, por që rezultuan negativë. Paraditen e sotme në spitalin e Sarandës është evidentuar një rast i dyshuar me koronavirus, por ende jo i konfirmuar zyrtarisht.
Burime thonë se personi në fjalë është një refugjat i ndaluar nga policia bashkë me një grup klandestinësh në kufi.
Është konstatuar se ai kishte temperaturë të lartë, prandaj është shtruar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. I janë marrë mostrat e gjakut dhe janë dërguar në Tiranë për të kryer analizat që do të faktojnë nëse kemi të bëjmë me koronavirus apo jo.
Pritet që në orët e ardhshme të kemi një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për këtë rast apo edhe të tjera që mund të jenë të dyshuar si bartës të virusit vdekjeprurës. Një ditë më parë pati raportime se koronavirusi kishte mbërritur edhe në Kroaci e Greqi. Aktualisht Italia është vendi me numrin me të lartë të të infektuarve në Evropë.