Rama në Komitetin e Rindërtimit: Duhet durim. Jo pazar me donacionet!

Në mbledhjen e katërt të komitetit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se në ditët në viim do të çelet gara për kompanitë që do të mundësojnë ndërtimin për shtëpitë individuale.

Ai deklaroi se në Laç, Thumanë dhe Shijak rindërtimi do të nisë më shpejt.

Kreu i qeverisë tha se krahasuar me proceset normale të planifikimit dhe projektimit është shumë më shpejt, por nga ana tjetër shtoi se janë të vetëdijshëm që njerëzit kanë çdo orë pyetjen se kur do kthehen në shtëpi.

Ai kërkoi durimin e banorëve të prekur nga tërmeti, pasi tha se do të bëhet një proces rindërtimi, ku gjithçka të jetë sipas standardeve dhe kushteve optimale për ato kategori ndërtesash që janë pjesë e procesit.

“Për këtë arsye është e nevojshme që të bëhet pak durim. 

Në raste të caktuara kam parë edhe dizinformim dhe përpjkeje për të njollosur procesin, duke njollosur edhe miqtë tanë nga organizuatat e rëndësishme të solidaritetit, të cilët dua ti falenderoj në mënyrë të veçantë, për durimin dhe bashkëpunimin, duke mbështetur për të garantuar që procesi të jetë i përbashkët dhe i integruar dhe që nuk bëjnë pazar me donacionet. 

I siguroj të gjithë se çdo qindarkë e publikut, qoftë përmes buxhetit, dhe organizatave që janë përfshirë në proces, është në pritje të ekzekutimit të projekteve.

Ekzekutimi i tyre kërkon pak kohë, pasi projektet duan kohën e tyre”, u shpreh Kryeministri.