Mirela Kumbaro kujton 20 shkurtin: Askush s’mund të marrë mbi vete lëvdata, përveç fatit mizor që i takoi të lindte në ato kohë të errëta
Deputetja e qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social për datën 20 shkurt, ditën kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha.
Ish- Ministrja Kulturës shkruan se si sot 29 vjet më parë një popull i tërë hoqi zvarrë simbolin e totalitarizmit shqiptar dhe askush s’mund dhe s’duhet të marrë mbi vete lëvdata, përveç fatit mizor që i takoi të lindte e të jetonte në ato kohë të errëta.
“21 shkurt 1991-2020
Në fund të ditës që kujton shembjen e diktatorit, dhe pasi ke dëgjuar gjithë ditën se si i bihet gjoksit… ose se si politizohet Historia, dy fjalë:
E kush mund të thotë sot se nuk ishte në sheshin Skënderbej 29 vjet më parë?
Si sot 29 vjet më parë një popull i tërë hoqi zvarrë simbolin e totalitarizmit shqiptar.
Sot, 29 vjet më pas, askush s’mund dhe s’duhet të marrë mbi vete lëvdata, askush s’ka asnjë meritë individuale përveç fatit mizor që i takoi të lindte e të jetonte në ato kohë të errëta.
Merita i shkon gjithë shoqërisë shqiptare që hoqi qafe zgjedhën e gjatë të diktaturës, Merita i shkon sidomos rinisë shqiptare që mori guximin të dilte në ballë të shoqërisë.
Fotoja është bardh e zi, por brezi im e jetoi me emocionet e ngjyrat e përmbysjes së përbindëshit dhe të këputjes së prangave të diktaturës”, nënvizon Kumbaro./ Sarandanews/