Kur romanet vrisnin “zogj”

Nga Monika Stafa

Thuhet se shkrimtarët rusë ndihen të sigurt prej vëmendjes aq të pakët që ka për ta Presidentit rus V. Putin, sepse ai beson se letërsia tanimë në këtë botë të re të teknologjisë është krejtësisht e parëndësishme.

Akoma dhe më pak presidenti amerikan D. Trump; megjithëse amerikanët janë një komb i madh ai nuk don madje as t’i përfillë shkrimtarët më të njohur të vendit të tij. Le të kujtojmë në kishte ndonjë referencë presidenciale për vdekjet e shkrimtarëve si Philip Roth apo Toni Morrison, pak më vonë? Të dy njësoj. Por libri studimor i Duncan White, profesorit të Harwardit, me titullin Cold Warriors:Writers Who Waged the Literary Cold War, fokusi i të cilit mbështetet tek përfshirja e shkrimtarëve në Luftën e Ftohtë, është një kujtesë çuditërisht inkurajuese se letërsia mund të izolojë të plotfuqishmit. Në këtë vështrim analitik, duke lexuar plot raste të studiuara në këtë libër, vërehet me mprehtësi lufta ideologjike mes kapitalizmit dhe komunizmit, që mbulon një gjysëmshekulli prej fundit të viteve ’30 deri në shembjen e Bashkimit Sovjetik. Aty vërehet qartazi se shkrimtarët më së shumti shfaqen më me ndikim se politikanët, spiunët/ agjentët apo dhe gjeneralët ushtarakë.

Me nofkën ‘shkrimtarë’, D. White e kish fjalën për romancierët, poetët dhe dramaturgët. Ai shpjegon se si autorë të shquar u ndikuan nga Lufta e Ftohtë që nisi mes perëndimit dhe lindjes. Ndër të tjera, interesante është kur ai tregon se si u përdor letërsia në atë konflikt. Dhe sesi ajo mes të tjerave mbetet gjithsesi një histori e një beteje kulturore. E gjitha filloi në pikun e luftës civile që shpërtheu në Spanjë, ku George Orwell dhe Arthur Koestler zbulojnë së pari rëndësinë e vrasjeve politike, si dhe fuqinë e trillimit për t’i eskpozuar ato. Librat e Orwell-it të ndaluar në shtetet e Paktit të Varshavës, ishin armë në duart e klasës qytetare në luftën mes ideologjive. Kur ai ishte duke u përpjekur pa sukses të botonte romanin “1984”, zyrtari i Ministrisë së Informacionit në Londër që këshillonte botuesin të refuzonte romanin e Orwell, ishte në të njëjtën kohë informator sigurimi për një kohë të gjatë, i policisë sekrete në ish- BS. Nuk do të kalonte shumë kohë derisa CIA vendosi të shtypte qindra kopje të ‘Fermës së Kafshëve’ e të cilat planifikoi t’i lëshonte me balonë në qiejt e Evropës Lindore.

Nga ana tjetër Koestler, që njihej si një predikues i zellshëm anti-komunist, duke qortuar gjithherët liberalët perëndimorë por dhe të majtët për çdo ide kontradiktore mbi kërcënimin sovjetik, nisi natyrshëm jetën si një aktivist i Partisë Komuniste, i gatshëm të injorojë provat e persekutimit dhe urisë që ai pa gjatë një udhëtimi në Bashkimin Sovjetik (1932). Duke u paraqitur si një gazetar pro-Frankos në Spanjë, ai shërbeu si agjent i ish -Bashkimit Sovjetik dhe vetëm për pak i shpëtoi ekzekutimit. Kur hoqi dorë nga komunizmi, shkroi romanin e tij Darkness at the Noon (1940), një histori arte-fact që rrëfente spastrime të tëra të ndërmarra nga Stalini. Libri pas luftës u kthye në një bestseller në Francë.

Por c’ndodh realisht në ish- Bashkimin Sovjetik? Atje ku shkrimtarët më të mirë u bënë dhe më të dyshuarit e kohës. Sjellim në mendje, shkrimtarin që spikaste për tregimin e shkurtër, Isaac Babel. Ai luftoi gjatë në përpjekje për t’i mbijetuar spastrimeve dhe proceseve gjyqësore. Prej tij u mësua se cfarë ishte tortura në ish- BS. Prej andej ti mund të gjykoje se cfarë ishte ai në të vërtetë ai regjim. Isaac Babel u ekzekutua shpejt, në burgun e Lubjankës në vitin 1940.

Në vitin 1936 kur bota po ndjente ethet e terrorit prej regjimeve totalitare që po hynin në skenën e historisë, ndërsa shkrimtarët diskutonin mbi angazhimet e tyre ideologjike në Kongresin e Shkrimtarëve Amerikanë në Manhattan, gjyqet mbi intelektualët në Moskë ishin në kulmin e tyre. Dhe vetëm disa dekada më vonë ndërsa Arthur Koestler dhe Zh. Paul Sartre debatonin mbi konceptet e Luftës së Ftohtë në soire-të e Parisit, Aleksandër Solzhencini po hynte në një kamp burgu në stepat e thella të Kazakistanit, dhe poetja Anna Akhmatova torturohej teksa përpiqej nën ethe të duronte burgosjen e djalit të saj në gulag.

Askush nuk e mendon sot se agjensitë federale të SHBA gjithashtu kishin frikë prej letërsisë artistike. FBI filloi të shënjestrojë shkrimtarët e Hollivudit. E. B. White i kushton një kapitull romancierit komunist Howard Fast, romani i të cilit Spartacus ishte ndaluar të botohej nga FBI, me arsyetimin se brenda tij lexohej propagandë komuniste. Por Fast e botoi vetë librin e tij dhe e ktheu në një bestseller.
Atëkohë të ndarjes së dy botëve jo vetëm që letërsia u politizua por jo rrallë herë duket se çdo iniciativë kulturore kishte pas, shërbimet sekrete të SHBA-së apo dhe ish-BS. Shumë revista kulturore janë financuar në fshehtësi. Ato kanë qenë të kaheve të ndryshme; majtas por dhe djathtas, fati i të cilave shkonte sipas erërave që frynin lart dhe tej e andej oqeanit.

SHBA dhe ish- BS shpesh herë luanin me njëra tjetrën e ishin në dijeni të plotë të asaj cfarë bënin; loja e tyre ishte cinike p.sh. kur vinin në dukje disa arritjet letrare të njëra –tjetrës. Shërbimet perëndimore të inteligjencës arritën të siguronin që kopjet e romanit të famshëm ‘Doktor Zhivago’ të Boris Pasternak të hynin kontrabandë në Rusi. E njëjta gjë kur pas viteve të presionit, favoriti i Stalinit, Mikail Sholokhov fitoi cmimin Nobel (1956), megjithëse quhej një fitore sovjetike e pavarwsisht se përfundimi i Luftës së Ftohtë ishte ende larg.

Cold Warriors:Writers Who Waged the Literary Cold War është një libër qw i duhej lexuesit e sidomos atyre qw e duan historinw sepse situata e cdo rasti që paraqitet në formë studimi jep në një mënyrë shpjegimin mbi një korridor të panjohur për një grup të caktuar indovidësh sic ishin shkrimtarët. Si gjithmonë një syri të stërvitur sërish nuk do t’i shpëtojnë anekdotat mbi absurdin dhe frikën në atë regjim. Mbushur me histori spiunësh përballë viktimës së vet, secili në fund thoshte se e respektonte letërsinë. Por ende kemi mbetur pa përgjigje se cilën letërsi?