KLSH zbulon shkeljet e Bashkisë Dropull, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë auditimin e radhës ku ka zbardhur shkelje të shumta me tendera në bashkitë Dropull, Kukës dhe Mat.
Pas hetimeve në terren dhe daljes në konkluzione se ka disa shkelje nga ana e këtyre bashkive me tenderat, KLSH ka kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë.
Me anë të një njoftimi për shtyp, KLSH ka bërë me dije se gjatë auditimit që ka kryer Kontrolli i Lartë i Shtetit për të treja bashkitë, janë konstatuar shkelje si dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik, veprime me efekte negative në administrimin dhe menaxhimin me ekonomicitet të fondeve publike për vlerën prej 271, 798, 000 lekë.
Këto dëme ekonomike janë shkaktuar si diferencë e ofertës më të ulët të skualifikuar dhe ofertës ekonomike të shpallur fituese dhe abuzimeve të tjera.
Sakaq ashtu sikurse u theksua më sipër, KLSH ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë, përkatësisht në Bashkinë Dropull, Kukës dhe Mat, të cilat janë dërguar për vlerësim në organin e Prokurorisë, për sa i përket zhvillimit të procedurës së prokurimit.
Në njoftimin e KLSH bëhet me dije se në zhvillimin e procedurës së prokurimit në Bashkinë Dropull, është konstatuar se njësia e prokurimit, me shtyrjen e afatit kohor 1 ditor, ka qenë jashtë përcaktimeve të afateve kohore procedurale për paraqitjen dhe ngarkimin në SEP të ofertave dhe dokumenteve të kërkuara nga DST. “Në procedurën e prokurimit të realizuar, me objekt: “Ndërtim i rrjetit rrugor “Unaza e Pogonit”, Faza e Parë”, viti 2017, me vlerë të prokuruar prej 116, 666, 666 lekë pa tvsh, procedurë për të cilën është shpallur fitues BOE me ofertën më të disfavorshme ekonomike, për vlerën prej 114, 343, 197 lekë, ose më pak se fondi limit në shumën prej 2, 323, 469 lekë, procedurë e pezulluar më parë nga Komisioni i Prokurimit Publik”, thuhet në njoftim.